Sun. Mar 24th, 2019

Mbi 50 protestues palestinezë të vrarë dhe qindra të plagosur në Gazë – ushtria izraelite përdor dronë për të hedhur gaz lotsjellës (Foto/Video, +16)

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka mbrojtur përdorimin e forcës në kufirin e Gazë, pasi snajperistët izraelitë vranë dhjetëra palestinezë dhe plagosën qindra tjerë, shkruan Daily Mail.

Sot rreth 35 mijë protestues reaguan kundër hapjes së ambasadës amerikane në Jerusalem, derisa forcat e rendit kanë përdorur gaz lotsjellës dhe snajperistë, transmeton Telegrafi.

Në një postim në rrjetin social Twitter, Netanyahu, ka shkruar se “secili vend ka për obligim të mbrojë kufijtë e saj”.

“Organizata terroriste Hamas ka deklaruar haptazi synimin për të shkatërruar Izraelin, duke dërguar mijëra persona për të kaluar kufirin për të krijuar trazira. Ne do të vazhdojmë të veprojmë konform ligjit për të mbrojtur sovranitetin dhe qytetarët tanë”, ka shtuar ai.

Në mesin e 52 të vrarëve ishte edhe një 14-vjeçar në Gaza, dhe për këtë po konsiderohet si dita më e përgjakshme që nga konflikti i vitit 2014 mes Izraelit dhe Palestinës.

Sipas zyrtarëve palestinezë, të paktën 2,400 persona tjerë janë lënduar, shumica prej tyre nga plumbat. Ndërkaq, delegacioni i Shtëpisë së Bardhë, përfshirë Ivanka Trumpin dhe bashkëshortin e saj, ishin mbledhur në ceremoninë e inaugurimit të ambasadës së re, duke qëndruar përkrah kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.

Vendimi i presidentit amerikan që ambasadën amerikane ta vendosë në Jerusalem, pati shkaktuar pakënaqësi në shumicën e vendeve myslimane, duke e quajtur veprim të pamatur.

Zyrtarët rusë kanë njoftuar sot se hapja e ambasadës vetëm sa do të rrit tensionet në Lindjen e Mesme, derisa presidenti turk Recep Tayyip Erdogan, ka paralajmëruar SHBA-të të jenë të kujdesshëm pasi që situata në Rripin e Gazës mund të eskaloj.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se ushtria izraelite, sot ka përdorur dronë të avancuar për të hedhur nga ajri gaz lotsjellës mbi protestuesit./Telegrafi/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *